LSI i përgjigjet Ruçit
- sidritdervishi12
- Jun 16, 2017
- 1 min read
“Unë po paralajmëroj cilindo që mendon se mund të vërë dorë, siç po punohet, mbi votën e lirë se nuk do të ketë dekret as për ministër, as për kryeministër. Dekretet do të vijnë vetëm nga një proces i ndershëm zgjedhor”, thonte Meta më 13 qershor. “Nëse ka këto mend, le të mos e bëjë betimin. E vërtetë që i ka provuar të gjitha: deputet, ministër, kryeministër, kryetar Parlamenti dhe President. Asnjë burrë tjetër nuk i ka provuar, por do të jetë Presidenti i parë që do të provojë shkarkimin dhe firma e parë do të jetë firma e Gramoz Ruçit”, përgjigjej Ruçi. Kërcënimit të Ruçit i është përgjigjur sot nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, i cili ka sqaruar dhe një herë deklaratën e fortë të Presidentit të zgjedhur. “Nuk do të dekretojë asnjë kryeministër e ministër që del nga zgjedhje të vjedhura. Prandaj nuk e kuptoj se çfarë problemi ka zoti Ruçi me këtë përcaktim, që është në mbrojtje të legjitimitetit dhe standardeve të zgjedhjeve”, deklaroi Luan Rama. Por, kush e vendos se zgjedhjet janë të lira? “Ka standarde të përcaktuara nga OSBE-ODIHR. Janë standarde ndërkombëtare dhe natyrisht që qytetarët shqiptarë që janë pjesë e gjithë kësaj hapësire globale dinë, lexojnë, kuptojnë, ndjejnë, kanë dhe detyrimin të kontribuojnë për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Luan Rama. / Top Channel
Комментарии