Rrëzohet avioni i Assadit, reagon Moska
- sidritdervishi12
- Jun 20, 2017
- 1 min read
Moska reagoi ashpër pas rrëzimit të një avioni luftarak sirian nga një avion i koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në provincën Raqqa. “Çdo mjet fluturimi që i përket koalicionit ndërkombëtar, e që vepron në perëndim të Eufratit, do të gjurmohet nga forcat antiajrore ruse në qiell e në tokë, e do të trajtohet si shënjestër”, deklaroi Ministria ruse e Mbrojtjes. Sipas saj, amerikanët nuk kanë përdorur asnjë kanal komunikimi, përpara se ta shembnin në tokë avionin e Damaskut. “SU-22”-shi sirian u qëllua pasi po lëshonte bomba në afërsi të zonës ku qëndrojnë forcat demokratike siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, që forcat e koalicionit të rrëzonin një avion të Damaskut. Siria e dënoi me forcë atë që e quan “sulm flagrant” me “pasoja të rrezikshme”. Episodi kërcënon - sipas ekspertëve, - ta përfshijë edhe më shumë Uashingtonin në luftimet siriane. Amerika i ka vënë disa herë në shënjestër trupat e regjimit në terren, kur kanë hyrë në të ashtuquajturat “zona përjashtimi”, të cilat shërbejnë për mbrojtjen e personelit trajnues amerikan në afërsi të kufirit me Irakun. Rajoni në fjalë është duke u vendosur gjithmonë e më shumë edhe në fokusin e Iranit. Një ditë më parë, Rojet Revolucionare iraniane lëshuan drejt tij disa raketa, duke treguar kështu se lufta për kontrollin e këtij territori kyç po hyn në një spirale të rrezikshme. / Top Channel
Comments